I dënuar për drogë, sekuestrohet pasuria e Sokrat Carit

Nga A2 CNN
16 Janar 2025, 10:15 | Kronikë

I dënuar për drogë, sekuestrohet pasuria e Sokrat Carit

Gjykata e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e Sokrat Carit, i dënuar për shitje të lëndëve narkotike, moskallëzim krimi dhe falsifikim të dokumenteve. Bëhet fjalë për një godinë banimi dhe shërbimi 3 kate me papafingo në rrugën “Besim Imami”. Një tjetër pasuri e paluajtshme në rrugën “Zhan D’Ark” dhe një automjet kamionçinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë këto pasuri janë fituar nga aktiviteti i prodhimit dhe shitjes së  narkotikëve.

Njoftimi i Prokurorisë

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Sekuestrohen me kërkesë të Prokurorisë Tiranë pasuritë e shetasit S.C. i dënuar për disa  vepra penale si shitja e lëndëve narkotike e falsifikimi i dokumenteve

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, u sekuestruan pasuritë e shtetasit S.C., i dënuar më parë për veprat penale: “Moskallzim të krimit”, “Falsifikimi të dokumenteve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Në kuadër të hetimeve të procedimit pasuror nr.16, viti 2011 rezultoi se shtetasi S.C (i cili ka ndërruar jetë në vitin 2022) dhe familjarët e tij, nuk kanë pasur burime financiare për krijimin e pasurive që zotëronin deri në vitin 2005 dhe kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, çka vërteton se kjo pasuri është vënë si rezultat i veprimtarisë kriminale.

Prokuroria vlerësoi se kjo pasuri e luajtshme dyshohet se është fituar nga personi i dënuar S. C., si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh. Shtetasi në fjalë në vitin 2007 është shpallur fajtor për veprën penale ‘Falsifikim të dokumenteve’ ndërsa në 2011, u deklarua fajtor nga gjykata e Tiranës për Veprat Penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ për të cilin ka marrë edhe dënimin përkatës.

Sa më lart, duke patur parasysh fushën e zbatimit të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë", i ndryshuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive dhe gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për pasuritë e mëposhtme:

1.  Pasuria e Paluajtshme Godinë banimi dhe shërbimi 3 kate me papafingo, zk 8250, sipërfaqje ndërtimi 156.2 m2, sipërfaqe totale 388.6 m2, numri i kateve 4, Rruga “Besim Imami”, vila nr.34;

2. Pasuria e Paluajtshme e llojit “Njësi”, Nr.5/605/ND-N15, vol 21, fq 159, ZK 8250, Sip 95.1m2, Rruga “Zhan D’Ark”, godina 10, kati përdhe, Tiranë; dhe

3. Automjeti Kamionçinë, blerë sipas Deklaratës Doganore 21.03.2005. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos