25 ditë pasi Gjykata e Lartë riktheu në burgim të përjetshëm Dritan Dajtin, ai i është drejtuar me një kërkesë burgut të Peqinit për lirim nga qelia.
Përmes avokatit ai i ka drejtuar një kërkesë gjykatës së Elbasanit, ku pretendon se dënimi i tij me 25 vite burg është kryer dhe se institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të niste procedurën e lirimit të tij.
“Kërkesa për lëshimin e urdhërit për kryerjen e procedurës së lirimit të të dënuarit Dritan Dajti lidhej drejtëpërsëdrejti me detyrimin ligjor që kishte Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, për të zbatuar Vendimin Nr.739/13-2024-2032, date 30.04.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila kish vendosur uljen e dënimit për Dritan Dajtin në masën 43 dite. Vendim ky që kish marrë formë të prerë po në daten 04.07.2024, ditë kur sipas llogaritjeve dhe vlerësimit të deklaruar nga gjykata në këtë vendim, Dritan Dajti përfundonte kryerjen e dënimit me 25vjet burgim. Por siç rezulton në fakt, ndonëse Dritan Dajti e ka përfunduar ekzekutimin e vendimit të dënimit me 25 vjet burgim, Drejtori i I.E.V.P.Peqin, z. Florenc Doka, ende nuk e ka nxjerrë urdhrin me shkrim që personeli i institucionit të kryejë veprimet për lirimin e tij”, thuhet në kërkesë.
Dritan Dajti u prangos në vitin 2009 për akuzën “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj.
Në atë ngjarje u vra edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara, si dhe u plagos një pushues, por Dajti në vazhdimësi i ka mohuar akuzat duke pretenduar se qëlloi me armë për t’u vetëmbrojtur pa e ditur se 4 viktimat ishin policë.
Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t’i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me qëllim, por ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojtur. (A2 Televizion)