Burg përjetë për Plaurent Dervishajn. Gjykata e Posaçme vendosi masën ekstreme të dënimit ndaj tij për organizimin e atentatit të 2019-ës ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Në atë ngjarje humbi jetën shoferi Andi Maloku, ndërsa mbetën të plagosur vetë Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si "Rrumi". Për të pandehurin tjetër, Julian Meçaj, trupa gjykuese vendosi dënimin me 35 vite burg.
I njëjti dënim ishte kërkuar edhe nga Prokuroria e Posaçme, e cila akuzoi Dervishajn, të konsideruar pjesë e grupit kriminal të Durrësit, si organizator të atentatit të ndodhur shtatë vite më parë. Sipas SPAK, ai ka vepruar në bashkëpunim me Julian Meçajn, si edhe me Bledar Polovinën, Amar Shkëmbin, Ramazan Rrajan, Endrit Sinanin, Genti Ndërjakun, Bashkim Haxhinë dhe Julian Pjetrin. Këta persona po përballen me procese gjyqësore të ndara.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u arrestuan në Dubai dhe në muajin gusht të vitit 2024, u ekstraduan drejt Shqipërisë për t'u përballur me drejtësinë. Sipas akuzës, Dervishaj ishte organizatori i atentatit, ndërsa Meçaj një prej autorëve që hapi zjarr ndaj automjetit ku udhëtonte ish-prokurori. Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit ndaj Arjan Ndojës, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, u mbështetën në transkriptimet e bisedave të siguruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, në kohën kur Arjan Ndoja udhëtonte së bashku me shoferin e tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon, i njohur si "Rrumi", i shpallur në kërkim. Për këtë atentat, me vendime të formës së prerë janë dënuar edhe persona të tjerë. Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, Arjol Halilaj me 35 vite burg, Ramazan Rraja me 6 vite, Genti Ndërjaku me 5 vjet e 4 muaj, ndërsa Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani me nga 4 vjet e 8 muaj burg. Julian Pjetri është dënuar me 4 vjet e 4 muaj burg. (A2 Televizion)