Atentati në Dobraç, AMP kërkon të hetohen policët e Shkodrës

Nga Xhensila Kodra
12 Nëntor 2024, 19:46 | Kronikë

Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës, ku akuzon efektivët e policisë së këtij qarku për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.

Sipas burimeve, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën, duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Tashmë, pritet që organi i akuzës të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje, si dhe për të parë nëse kanë kryer apo jo detyrën me korrektësi.

Ende mbetet mister personi që del në video, ndërkohë që dyshohet se ai mund të ketë qenë Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit. Ka dyshime se Ibrahim Lici të jetë lënë nga efektivët që të largohet nga vendi i ngjarjes. Ibrahim Lici është një ndër personat më të kërkuar për krime të rënda.

Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi duke lënë të vrarë Hamza Licin, Arlind Bushatin, ndërsa mjeti që këta të dy udhëtonin u mori jetën dy kalimtarëve të rastit, çiftit të bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha. Dosja tashmë po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, pasi ka dyshime se atentati është kryer nga një grup kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos