
Ish-deputeti socialist, Plarent Ndreca, i pandehur për "shkelje të barazisë në tendera" në Gjykatën e Posaçme, tha të enjten se akuza ndaj tij ishte e paqartë dhe konfuze.
I pranishëm në seancën e radhës të procesit ku gjykohet i veçuar, Ndreca tha se prokuroria nuk saktësonte për cilët tender akuzohej.
"Cila nga këto procedura është shkelur? Nuk ka pasur shpenzime të përcaktuara me fond limit në buxhetin e shtetit. Kemi një procedurë me konkurrim dhe një tjetër pa konkurrim. E para ka vlerën zero, me konkurs; tjetra me fond limit pa konkurrencë, në pamundësi për të shkelur barazinë në tendera. Referuar ndryshimeve të 2021 përfshihet edhe dekriminalizimi i procedurave tenderuese me vlerë zero", tha Ndreca, shkruan A2.
Përmes avokatit, Ndreca i kërkoi gjykatës të shpallë moskompetencë. Sipas avokatit, çështja duhet të shqyrtohej nga një gjykatë e zakonshme.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko tha se kjo kërkesë të pandehurit i ishte rrëzuar që në shqyrtimin paraprak.
"Ne kemi vlerësuar që të dyja procedurat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ndaj e kemi akuzuar vetëm për një episod. Qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme", tha Bejko.
Kërkesa e Ndrecës për moskompetencë u rrëzua nga gjykata.
“Vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri është nën kompetencën e Gjykatës së Posaçme. Gjykata e ka të ndaluar në këtë moment të arsyetojë mbi bazë fakti, por vetëm për kërkesat paraprake", arsyetoi gjykata.
Më tej, mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me argumentet e SPAK, çka çoi në ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj për më 5 mars, në orën 11:00.
(A2 Televizion)