
Danimarka ka akuzuar shërbimet ruse të inteligjencës se kanë organizuar një plan për të vrarë pranë Kopenhagës një reper amerikano-ukrainas.
Agjencia daneze e Sigurisë dhe Inteligjencës bëri të ditur se kishte ndaluar persona që synonin të vrisnin këtë individ, të identifikuar nga mediat daneze si reperi Kyivstoner, gjatë një koncerti në muajin shtator.
Dy persona janë akuzuar për tentativë vrasjeje dhe bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës njoftoi se, në përgjigje të kësaj çështjeje, atasheu ushtarak i Rusisë do të dëbohet nga vendi.
Nga ana tjetër, Ambasada ruse në Danimarkë i ka cilësuar akuzat si “të pabazuara”, duke pretenduar se Kopenhaga nuk ka paraqitur prova për përfshirjen e Moskës.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ambasada pretendoi se është krijuar një “model danez”, ku një “gjurmë ruse” zbulohet dhe më pas “shfrytëzohet për një spektakël propagandistik”.
Ajo akuzoi gjithashtu Danimarkën për “provokime”, me qëllim “frikësimin e popullsisë daneze për të justifikuar një përballje të zgjatur me Rusinë”.
Ndërkohë, mediat shtetërore ruse, duke iu referuar Ministrisë së Jashtme në Moskë, raportuan se Rusia do t'i përgjigjet në mënyrën e duhur dëbimit të zyrtarit të saj.
Mediat daneze e identifikuan objektivin e atentatit si reperin e njohur me emrin Kyivstoner, emri i vërtetë i të cilit është Albert Vasiliev.
Sipas Agjencisë Daneze të Sigurisë dhe Inteligjencës (PET), personat që dyshohet se tentuan ta vrisnin reperin kishin lidhje me grupin kriminal danez të ndaluar “Loyal to Familia”.
Sipas agjencisë, ky grup njihet për aktivitetin e gjerë kriminal, të rëndë dhe të dhunshëm.
(A2 Televizion)