Një ngjarje e rëndë dhune mes nxënësve është regjistruar pak ditë më parë në një shkollë 9-vjeçare në qytetin e Lezhës, por rasti nuk është bërë publik dhe nuk është denoncuar në polici. Lajmin e ka bërë të ditur në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Igli Çelmeta. Sipas tij një nxënës i një shkolle 9-vjeçare të këtij qyteti është dhunuar brutalisht në oborrin e shkollës nga disa nxënës të një gjimnazi.
Sipas gazetarit të A2 CNN, konflikti ka nisur pasi gjimnazistët kishin publikuar në TikTok foton e motrës së nxënësit të shkollës 9-vjeçare dhe e bullizonin.
“Një rast i papublikuar në media ka ndodhur para disa ditësh në një shkollë në qytetin e Lezhës, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare është dhunuar brutalisht në oborrin e shkollës 9-vjecare nga disa nxënës të shkollës së mesme. Nxënësi i shkollës 9-vjeçare kishte patur debat me nxënësit e gjimnazit se kishin publikuar foton e motrës së tij në Tik Tok dhe e bullizonin”, deklaroi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Pavarësisht dhunës, ngjarja është mbajtur brenda mureve të shkollës. Oficeri i sigurisë dhe drejtuesit e institucionit arsimor e kanë zgjidhur çështjen mes tyre, së bashku me prindërit e nxënësve të përfshirë, pa përfshirë autoritetet ligjzbatuese.
“Rasti nuk është bërë publik nuk është denoncuar as në polici. Oficeri i sigurisë së shkollës së bashku me drejtuesit e shkollës e kanë mbyllur sherrin brenda për brenda së bashku me prindërit. Por kjo nuk është zgjidhja. Ka mosfunksionim të institucioneve. Policia ka përgjegjësinë e saj duhet të parandalojë”, theksoi gazetari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Gazetari Çelmeta thekson se dhuna mes të miturve është rritur ndjeshëm, ku “për vitin 2025 janë të regjistruar në polici të paktën 120 raste dhe mbi 150 të mitur të dëmtuar”, theksoi ai.
(A2 Televizion)