Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyrë për në 20 janar, në orën 13:30 seancën e shqyrtimit në themel të çështjes së inceneratorit të Tiranës.
A2 CNN mëson se seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit të një prej të pandehurve që jeton jashtë vendit.
Gykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK më herët, që më datë 2 gusht njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre” te dosja e Inceneratorit të Tiranës.
Vetëm tre prej të pandehurve kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Pjesa tjetër e të pandehurve kanë kërkuar procedurën e gjykimit të zakonshëm. Masat për inceneratorin u lëshuan në dhjetor të vitit 2023, ndërsa për gjykim kanë kaluar ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Tboma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola.
Për inceneratorin e Tiranës, ish-deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete, kjo për shkak se, Bllako po hetohet për një tjetër akuzë, atë të korrupsionit.
Më herët, më 8 nëntor Apeli i Posaçëm shpalli vendimin përfundimtar ndaj të pandehurve për inceneratorin e Elbasanit, duke ashpërsuar dënimin me 5 vjet e 6 muaj te Kokës në Shkallën e Parë në një dënim me 6 vjet e 8 muaj. Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi pafajësinë e fituar në Gjykatën e Posaçme për Alqi Bllakon, duke e fajësuar atë për "shpërdorim të detyrës" dhe dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg. (A2 Televizion)