Policia ka vënë në pranga një 37-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i vjedhjes së 6 mijë eurove në një hotel në Saranda.
Po ashtu, 37-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i disa vjedhje të tjera, shkruan A2.
“Vodhi një çantë me 6000 euro në një hotel dhe tentoi të vidhte në një automjet të parkuar, identifikohet dhe arrestohet 37-vjeçari, me precedent penal për vjedhje.
37-vjeçari dyshohet si autor i disa vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë muajit dhjetor 2024, në qytete të tjera.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit:
A. M., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.
Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:
-më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;
-më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”, njofton policia. (A2 Televizion)