Policia e Dibrës ka dhënë detaje në lidhje me incidentin e mbrëmjes së kaluar në Maqellarë, ku mbështetës të PD kanë ndaluar dy mjete ku udhëtonin përfaqësues të PS nën akuzën se po shpërndanin para në këmbim të votës më 11 maj.
Policia është vënë në lëvizje në orët e vota të së shtunës pas telefonatës që ka mbërritur në Komisariatin e Dibrës nga kandidati Xhemal Gjunkshi i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç. (A2 Televizion)