Ishte i dënuar për vrasje, ekzekutohet në oborrin e banesës në Fier “Sel Çami”

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
23 Nëntor 2026, 14:39 | Kronikë

Ekzekutohet brenda oborrit të banesës së tij në Fier, Selami Hasani, rreth 60 vjeç, i njohur edhe me nofkën Sel Çami.

Atentati, i ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne, dyshohet se u realizua nga tre persona, të cilët janë parë të afrohen pranë rrethimit të banesës së Hasanit. Në momentin që kanë parë objektivin të dalë në oborr, e kanë qëlluar me breshëri armësh, duke e vrarë në vend.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur rëndë edhe vëllai i Selami Hasanit, Jakup Hasani.

Pas atentatit, autorët janë larguar me një automjet tip Volvo, me ngjyrë të bardhë, i cili pak minuta më pas u gjet i djegur në rrethrrotullimin e Pojanit. Ndërkohë, autorët dyshohet se janë larguar me një tjetër automjet.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Fierit, viktima, Selami Hasani, ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja, në mars të vitit 2002.

Në lidhje me këtë dënim, Hasani ishte liruar nga burgu në shtator të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, mendohet se ka qëndruar kryesisht jashtë vendit.

Rikthimi në banesë këtë herë rezultoi fatal për Hasanin, i cili dyshohet se është ekzekutuar nga persona me pagesë, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kryer prej tij në mars të vitit 2002. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos