Reshjet dhe erërat e forta shkaktojnë dëme në Shkodër, probleme me energjinë dhe bllokime në akset rrugore

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2026, 09:20 | Kronikë

Reshjet dhe erërat e forta shkaktojnë dëme në Shkodër,

Gjatë natës, territori i Qarkut Shkodër është përfshirë nga reshje shiu dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar problematika të lokalizuara.

Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve, për largimin e të cilave kanë ndërhyrë shërbimet nga strukturat e bashkisë.

Në Bashkinë e Malësisë së Madhe, nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Situata më problematike paraqitet në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime të çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe të disa banesave, si dhe dëmtime në rrugët rurale nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative. Aksi Fushë-Arrëz–Bardhet, i bllokuar përkohësisht gjatë natës nga rrëzimi i një peme, është zhbllokuar pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.

Në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë evidentuar rënie gurësh dhe prurje inertesh, po vijohet me pastrimin e akseve. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, ndërsa aksi është i kalueshëm.

Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore.

Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat përkatëse.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e situatës dhe bashkërendimin me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos