
Një 46-vjeçar, shtetasi Altin Celami, ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dispononte armë zjarri pa leje, me të cilat furnizonte grupet kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh, shkruan A2 CNN.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se Celami ishte kamufluar si taksist dhe lëvizte me një taksi të verdhë, ku edhe mbante armët, për të mos rënë në sy të Policisë.
Po ashtu, gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, bën të ditur se 46-vjeçari Altin Celami kishte pak kohë që kishte dale nga burgu. Ai ka qene i arrestuar më datë 4 tetor të vitit 2022 për armëmbajtje pa leje.
Celami deri në vitin 2022 ka qenë ushtarak në repartin e Pezë Helmës në Tiranë. Kur u arrestua në vitin 2022, u perjashtua edhe nga ushtria.
Ndërkohë grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme nga Strukturat e DVP Tiranë, ndaj armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Gun Expert”, i ndjekur me metoda speciale hetimi.
Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh.
Furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, vihet në pranga 46-vjeçari që përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore.
46-vjeçari i implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal.
Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, finalizoi operacionin policor të koduar “Gun Expert”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, teksa drejtonte automjetin tip taksi.
Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve". (A2 Televizion)
