“Jam shkrimtar, i bëra “diss” artistik Noizyt”, Cllevio dëshmon në Gjykatë: Më rrahën 12 vetë kur shkova t’i kërkoja falje

Nga Armand Bajrami
24 Qershor 2026, 14:56 | Kronikë

“Jam shkrimtar, i bëra “diss” artistik Noizyt”,

Klevion Ahmetaj (Cllevio) dëshmoi të mërkurën në procesin ndaj të akuzuarve si anëtarë të një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.

Ahmetaj shpjegoi se nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. “Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë; Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë sime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin, ka qenë pa punë. Viteve të fundit nuk e kam takuar fare. Vij nga SHBA-ja në vitin 2013 dhe në 2014 rashë në burg, dhe kam dalë në vitin 2020 nga burgu; nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në 313, 302 Fier dhe Durrës. As telefonata dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Cllevio foli edhe për lidhjen e tij me Noizyn. “Me Rigels Rajkun kam njohje artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, të njohur si Unikkatilin. Ne kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15–20 vitesh ia ktheva edhe unë në muzikë duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në vitin 2020, doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të bëjmë “diss” në mënyrë artistike. Dhe kur bëra këngën, u bëra i famshëm dhe më pëlqente. Dhe një ditë të bukur i thash vetes: “Boll me diss”, dhe shkova t’i kërkoja falje. Ishte i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali “Zins” në Currila, u parkova dhe u thashë shokëve të mos dilnin nga makina.

Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit dhe rreth 12 veta. Aty më rrahën, më shkelmuan në kokë me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg”, dëshmoi Cllevio.

“Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagram live duke thënë se po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali, ishte një roje; i thashë të ma thërriste Noizyn. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që e shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noizy, hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më goditi me grusht dhe u godita nga 6–8 veta.

U përfshinë në sherr edhe dy shokët e mi, njërit iu thyen dhëmbët. Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nëna ime ishte në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike që më godasin. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt”.

Sa i përket shpërthimit me tritol të lokalit të Noizyt, Ahmetaj tha se e ka marrë vesh nga shokët në burg. “Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditësh. Pastaj më thirri një oficer policie në Durrës dhe më tha se ka një hetim për shpërthimin me tritol. Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, sepse isha në burg. E mendova me vete kush mund ta ketë bërë, dhe mendova se mund ta kishte bërë “BABA”. Nuk më ka ardhur asnjë lajm që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tahani nuk e njoh fare. Nuk pajtohem me Rigelsin”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos