Dy ditë pas marrjes në pyetje në SPAK të ish-kryeministrit Sali Berisha, këtë të enjte shkallët e strukturës anti-korrupsion i ngjiti dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
I dyshuari nga SPAK për “korrupsion” dhe “pastrim parash” gjatë procesit të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” qëndroi për gati 4 orë para prokurorëve Enkeleda Millona e Arben Kraja.
Në dalje ai pretendoi se hetimi penal ndaj tij ishte i ndikuar. Sipas Malltezit, privatizimi i kompleksit për të cilin akuzohet nuk i ka sjellë asnjë dëm financave publike, ndërsa i pyetur nga A2 CNN për shifrën 5,4 milionë euro që SPAK pretendon se ai vetë ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme tha: “Nuk u pyeta për shifër konkrete, por mbi të ardhurat. U thashë që të ardhurat janë të gjitha ligjore, të gjeneruara nga një kompani zhvillimi”.
Ndonëse u largua me një automjet privat, Malltezi u eskortua nga një automjet policie drejt banesës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku ashtu si vjehrri i tij ish-kryeministër, qëndron në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. (A2 Televizion)