Një ngjarje e rëndë është parandaluar në fshatin Floq, Librazhd, falë reagimit të shpejtë të Policisë. Një 53-vjeçar, i identifikuar si M. A., është arrestuar në flagrancë pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur pasi kishte kanosur me thikë një bashkëfshatar, shkruan A2 CNN.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Y. B., 46 vjeç, ndërhyri për të ndaluar M. A. që të drejtonte automjetin në atë gjendje, por u përball me kërcënime nga i dyshuari. Pas njoftimit të marrë, shërbimet e Policisë së Librazhdit organizuan një operacion të shpejtë dhe e kapën menjëherë 53-vjeçarin.
Gjatë kontrollit, në automjetin e tij u gjetën dhe sekuestruan dy thika, njëra prej të cilave u përdor për kanosjen. Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe kanosje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për hetime të mëtejshme. (A2 Televizion)