Temperaturave tejet të larta të së mërkurës në Tiranë iu shtuan edhe 5 vatra zjarri që morën përmasa të jashtëzakonshme. Flakët duket se prekën qiellin ndërsa brenda pak orësh qindra hektarë u kthyen në hi.
Këto pajme tregojnë atë çfarë ka mbetur. E enjtja zbardhi me hirin e mbetur nga pemët dhe shtëllungat e tymit. Zjarri përmasave të mëdha shkrumboi totalisht kurorën e gjelbër të katër fshatrave të Tiranës, Priskë e Madhe, një pjesë e Lundrës, Gurrë e vogël dhe Daiasin.
Dëmet janë të konsiderueshme në pyje, ullinj dhe pemë frutorë. Terreni i vështirë malor ka bërë që ndërhyrja nga toka e shërbimit zjarrfikës të kryhet vetëm në fshatin Daias. Helikopterët ndërhynë për normalizimin e situatës në Priskë të Madhe dhe Gurrë të Vogël, aty ku zjarret kërcënuan shpesh herë banesat. Në të paktën 10 shtëpi u vendos evakuimi ndërsa 3 objekte të vjetra të pabanuara janë djegur.
Temperaturat e larta dhe bimësia e thatë për shkak të mungesës së reshjeve shton në këto ditë rrezikun e zjarrit ku nuk ka munguar pakujdesia apo dhe veprime të qëllimshme. (A2 Televizion)