
Një konflikt në një lokal në Divjakë ka rrezikuar të përshkallëzohet në vrasje, por ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar ngjarjen.
Policia arrestoi 6 persona dhe sekuestroi 2 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje. Sipas Policisë, një prej të arrestuarve, 22-vjeçari Orgito Lamka ishte rikthyer disa orë pas konfliktit në lokal i armatosur dhe dyshohet se synonte të vriste 51-vjeçarin Shahin Xhepexhiu.
Në pranga ranë gjithashtu personat që dyshohet se e shoqëronin, posedonin armën apo kishin dijeni për konfliktin dhe nuk e kishin kallëzuar. Mes tyre është edhe pronari i lokalit.
Në operacionin "Crime prevented", u arrestuan shtetasit Orgito Lamka, Kevin Sota, Serxhio Duda, Shahin Xhepexhiu, Santiago Alla dhe Zeni Kule.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri, 4 automjete dhe 6 telefona celularë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Njoftimi i Policisë Divjakë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, operacioni policor i koduar “Crime Prevented”.
Ndjekja në dinamikë nga shërbimet e Policisë e një konflikti, fillimisht me sende të forta, parandaloi një vrasje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator.
Vihen në pranga 6 shtetas.
Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh. Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta.
Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:
- O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.
- K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.
- S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.
- S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.
- Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.
- Sh. Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)