
I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë 24 orëve të fundit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara me reshje bore, të cilat kanë vijuar deri në orët e para të ditës së sotme.
Aktualisht, situata meteorologjike paraqitet e qëndrueshme dhe pa reshje bore. Si pasojë e reshjeve, rrugët nacionale dhe ato bashkiake kanë qenë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe borës në disa segmente. Subjektet kontraktore kanë vijuar gjatë gjithë kohës punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
Edhe Rruga e Kombit, nga Morini deri në tunelin e Kalimashit, është e qarkullueshme, pasi aktualisht nuk ka reshje bore. Segmentet ku ka pasur prani të borës janë pastruar dhe trajtuar me kripë.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika të tjera. Furnizimi me energji elektrike vijon në të gjithë Qarkun Kukës, me përjashtim të fshatit Myç-Has, Njësisë Administrative Gjinaj dhe Njësisë Administrative Golaj, në bashkinë Has, si dhe Njësisë Administrative Lekbibaj, në bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës (DRUK). (A2 Televizion)