Falimentimi i 7 kompanive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ka çuar pas hekurave 4 persona në Elbasan. Policia bën me dije se në kuadër të operacionit “Bankrupt” u godit një skemë e mirëorganizuar për çuarjen në falimentim të qëllimshëm të 7 subjekteve fasoneri.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan ka ekzekutuar sakaq masat e sigurisë të dhëna nga gjykata më datë 2 qershor duke arrestuar shtetasit: A. K., 40 vjeç, administrator subjekti, i kapur nga Policia në Tiranë; G. L., 60 vjeç, shtetas italian, administrator, i ndaluar në Pikën Kufitare të Rinasit në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria; Z. K., 27 vjeçe, administratore subjekti; E. S., 31 vjeçe, ekonomiste, ndaj të cilës u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Të katërt këta shtetas akuzohen për veprat penale: “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve, është vendosur sekuestro preventive mbi 7 fasoneritë e përfshira dhe 12 llogaritë bankare të tyre.
Sipas Policisë, hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit kanë bashkëpunuar për të simuluar falimentimin e bizneseve, me synimin për të shmangur pagesën e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale. (A2 Televizion)