Policia e Tiranës ka vënë në pranga Aldo Nezirin, 21 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për plagosjen me armë të një 15-vjeçari, ngjarje e ndodhur më 1 qershor në një piceri në zonën e “Ali Demit”.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu u arrestua si rezultat i kontrolleve të pandërprera dhe informacionit të siguruar nga inteligjenca policore. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, ai dyshohet se qëlloi me armë adoleshentin, duke e plagosur rëndë.
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë arrestuar edhe 3 punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë ndërhyrë në vendin e krimit duke fshirë gjurmët dhe duke hequr DVR-në e kamerave të sigurisë. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e administratorit të lokalit, i cili është shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se arma e përdorur në ngjarje është gjetur dhe sekuestruar në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë. (A2 Televizion)