Katër grupe kriminale shqiptare të trafikut të kuintalëve të drogës sintetike, por edhe kokainës e marijuanës drejt Finlandës u goditën mëngjesin e së mërkurës nga një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze të drejtësisë.
Droga sintetike, amfetamina e ekstazi, si dhe kokaina sigurohej në Holandë, ndërsa kanabisi në Spanjë.
Drejtuesit e 4 grupeve shqiptare i bënin “pazaret” nga Shqipëria, ku 2 nga drejtuesit nga Vlora e dy të tjerët nga Kuçova e Berati bënin jetë të zakonshme, pa probleme me drejtësinë. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme lëshoi urdhër-arreste për 11 persona.
Nënte prej tyre u arrestuan gjatë operacionit ku u përfshinë 110 punonjës të Policisë së Shtetit, një është në kërkim, ndërsa një tjetër rezulton të ndodhet jashtë vendit. Hetimi i përbashkët 2-vjeçar shqiptaro-finlandez mbi disa grupe kriminale të përbërë nga shqiptarë, finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë e afrikanë në Finlandë kishte çuar në rrjetën e drejtësisë 55 persona.
Detajet e operacionit u ndanë në një konferencë të përbashkët mes SPAK dhe hetuesve finlandezë.
Gjatë këtij hetimi në Finlandë janë sekuestruar 300 kilogramë drogë, nga të cilat 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë, si ekstazi e të tjera pilula. Sipas prokurorit të posaçëm Alfred Shehu, veçanti e grupeve ishte bashkëpunimi i tyre për trafikun e drogës.
Ai tha se 2 nga grupet organizonin nga Shqipëria trafikun e drogës nga Spanja e Holanda në Finlandë.
Anëtarët e grupeve kriminale kishin zgjedhur një mënyrë të zakonshme komunikimi me njëri-tjetrin, ndërsa hetimi ende nuk ka zbuluar si mbërrinin paratë e fituara nga droga në Shqipëri.
Nga operacioni policor i koduar “Pietari”, ku morën pjesë edhe efektivë të policisë finlandeze u sekuestruan 8 automjete, disa aparate telefonikë celularë dhe shumë dokumente në gjuhën finlandeze, që sipas SPAK, janë me vlerë për hetimin.
(A2 Televizion)