Kërkesa për liri, Veliaj shkresë gjykatës së lartë: Përshpejto rigjykimin

Nga Armand Bajrami
8 Korrik 2026, 17:31 | Kronikë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i kërkon Gjykatës së Lartë të përshpejtojë rigjykimin e kërkesës së tij për lirim nga masa e sigurisë “arrest në burg”. Gati një javë pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi arsyetimin e vendimit që riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë, kryebashkiaku kërkon të mos humbet kohë për rigjykimin e rekursit. Përmes një shkresë të firmosur prej tij edhe avokatit Plarent Ndreca, Veliaj arsyeton nxitimin me konsumimin e mandatit të tij si kryebashkiak. 

“Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, edhe një vendim eventualisht pozitiv i Gjykatës së Lartë, nëse jepet pasi koha reale e mandatit të jetë konsumuar në mënyrë të konsiderueshme ose pranë përfundimit, do të rrezikonte të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente në mënyrë reale periudhën e humbur të ushtrimit të mandatit, as të riparonte pasojën institucionale të krijuar nga pamundësimi faktik i funksionit të Kryetarit të Bashkisë dhe as cenimin e së drejtës së qytetarëve dhe zgjedhësve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre”, thuhej në shkreswn e Veliajt. 

Përveç shqyrtimit me përparësi, Veliaj i kërkon Gjykatës të Lartë të administrojë një material prej 97 faqe parashtrimesh dhe të zgjidhë përfundimisht çështjen që lidhet me masën e sigurimit, pa e kthyer çështjen për rishqyrtim në gjykatat më të ulëta.

Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese riktheu në Gjykatën e Lartë diskutimin mbi vijimin ose jo të masës “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut Veliaj. Kushtetuesja vlerësoi se vendimi i Gjykatës së Lartë i korrikut 2025, që la Veliajn në burg, kishte lënë pa përgjigje të arsyetuar disa pretendime të kryebashkiakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos