Kërkon “Live TV”, GJKKO "copëton" dosjen "Veliaj". 7 në gjyq të shkurtuar

Nga Armand Bajrami
27 Prill 2026, 19:09 | Kronikë

Në seancën e së hënës në ngarkim të Erion Veliajt dhe të bashkëpandehurve, Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e kryebashkiakut për një transmetim live televiziv të procesit gjyqësor.

Pengesa e futjes së kamerave, as për pak minuta, u bë për shkak të mosdakordësisë së të pandehurit Elman Abule, ndësa kundër u shfaq edhe prokurori.

Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, por përmes avokatit ripërsëriti kërkesën për të mos u mbajtur në kafazin e xhamtë të sallës, shkruan A2.  

“S’ është kafaz, por një xham dhe ka një të çarë ku mund të komunikohet”, i tha prokurori Ols Dado avokatit.

“Kushtet e Gjykatës së Posaçme janë si hotel me 5 yje”, vijoi ai, koment për të cilin iu tërhoq vëmendja nga gjykata.

Avokati i kryebashkiakut tha se në dosje ka përgjime, por, sipas tij, ai dhe klienti nuk i kishin dëgjuar, pasi nuk kishin CD-të përkatëse, por vetëm procesverbale.

Në seancën e të hënës, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, mes të cilëve edhe biznesmenëve Elman Abule e Fatmir Bektashi, dhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka.  

Treshja gjykuese aktuale do të mbajë këtë çështje, ku ftoi prokurorinë për të lexuar pretencën më 20 maj.

Ndërsa dosja ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, që do të gjykohen me kohë të zakonshme, do të shortohet për një treshe të re gjykuese.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos