"Korrupsion aktiv në zgjedhje", GJKKO i jep 1 vit burg kryebashkiakut të Rrogozhinës

Nga Armand Bajrami
24 Janar 2025, 16:31 | Kronikë

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, mbërriti të premten në Gjykatën e Posaçme në cilësinë e të pandehurit për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, për të cilin SPAK kishte kërkuar deklarim të fajshëm. Përpjekja e tij për të bindur gjykatën për të kundërtën, rezultoi e pasuksesshme. Disa orë më vonë ai doli nga gjykata me barrën e fajësisë mbi supe.

Treshja e gjyqtarëve të posaçëm Flojera Davidhi, Erion Bani e Elsa Ulliri vendosën ta dënojnë Memollën me 1 vit heqje lirie dhe një dënim plotësues të heqjes së të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare. 

Të fajshëm për “korrupsion në zgjedhje”, por edhe për “falsifikim të dokumenteve u shpallën edhe tre të bashkëpandehurit e tij. Vetëm për të pandehurin Isuf Tosku gjykata vendosi të konvertojë dënimin me burg në Shërbim Prove.

Sipas SPAK, teksa ishte kandidat për kryebashkiak në Rrogozhinë në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022, Edison Memolla ka ndikuar tek i bashkëpandehuri Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor kundrejt votës në favor të tij.

Me të njëjtin, sipas SPAK, Memolla ka komunikuar edhe për punësime në Bashkinë Rrogozhinë në këmbim të votës. Hetimi provoi se i pandehuri Ndriçim Tafxhafa i ka premtuar një shtetaseje në Rrogozhinë shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, për të pasur votën e saj.

Referuar hetimit të SPAK, të pandehurit Xhamani e Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos