Kreu i SPAK përballë gazetarëve, Dumani flet për hetimin ndaj Veliajt dhe "21 janarin"

Nga Armand Bajrami
20 Janar 2025, 16:36 | Kronikë

Pas marrjes së deklarimeve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj e bashkëshortes së tij, si edhe disa kontrolleve fizike në ambiente të zotëruara prej tyre, kreu i SPAK, Altin Dumani, la pa përgjigje pyetjen, nëse ka SPAK prova të mjaftueshme për të regjistruar emra personash konkretë nën hetim.

Gjatë një takimi me gazetarët në ambientet e SPAK, Dumani u tregua i rezervuar për këtë çështje, referuar fazës në të cilën ndodhet hetimi, transmeton A2 CNN. 

“Çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të bëj publik asnjë të dhënë tjetër apo informacion. Ju keni raportuar për kontrolle të zhvilluara në lidhje me këtë çështje dhe kontrollet janë një mjet për kërkimin e provës”.

Detaje konkrete, Dumani nuk ndau as mbi ecurinë e hetimit të çështjes “21 janari”, hetim i regjistruar për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, por e cilësoi si një hetim dinamik, raporton A2 CNN.

“Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në mars 2024, aktet e dosjes janë sjellë në SPAK më 11 korrik. Më 15 korrik është bërë regjistrimi i procedimit penal paemra konkretë. Veprimet hetimore janë intensive dhe të përditshme. Dinamika e hetimit është e tillë që kërkon veprime të përditshme”. 

Në lidhje me kohën e pyetjes së personave të kallëzuar, për këtë çështje Sali Berisha e Lulëzim Basha, Dumani tha se përcaktohet sipas strategjisë së prokurorit të çështjes.

I pyetur mbi pezullimin e hetimit për dosjen “Xibraka”, Dumani ritheksoi deklaratën zyrtare të SPAK, se nga hetimi nuk ishin zbuluar prova apo fakte që të lidhnin shtetasin Olsi Rama me aktivitet kriminal, përcjell A2 CNN. 

“Ne e kemi dhënë përgjigjen zyrtare. Dosja ka qenë e pezulluar. Është rihapur pas informacionit të depozituar nga deputeti Gazment Bardhi. Është hetuar edhe përfshirja e mundshme e shtetasit Olsi Rama. Pas hetimeve prokurori ka vendosur pezullimin e çështjes pasi nuk janë identifikuar persona të përfshirë në aktivitet kriminal. Çështja është pezulluar dhe dërguar në polic për identifikimin e autorëve”.

Për mundësinë apo jo të një pauze të SPAK gjatë fushatës elektorale, Altin Dumani theksoi se struktura që drejton nuk kushtëzohet nga fushatat.

“Sa herë vihemi në kontakt me shkelje të ligjit ne do të veprojmë”, tha Dumani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos