Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai u paraqit në SPAK këtë të mërkurë dhe për rreth një orë u mor në pyetje nga hetuesit.
Në dalje të SPAK, Isai u tregua skeptik për arsyen e thirrjes së tij për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme. Ai tha se dha deklarime për një çështje të vjetër të 2023-it.
“Dhashë disa shpjegime shtesë nga 2023. Nuk e di nëse duhet të them çështjen për të cilën isha, pasi i takon... dhe nuk pyeta nëse duhet ta thoja. Dhashë disa shpjegime shtesë dhe isha në cilësinë e deklaruesit”, tha Erion Isai pasi doli nga SPAK.
Në vitin 2023, Isai u pyet në SPAK për dhënien e një tenderi për rrugën Korçë-Ersekë.
Burime për A2 CNN thanë se Isai tashmë është kallëzuar për një tjetër tender rruge. Kallëzimi është bërë për disa vepra penale, korrupsion pasiv e aktiv, shpërdorim detyre, shkelje e barazisë së pjesëmarrëseve në tendera dhe për fshehje pasurie.
Erion Isai u zgjodh kryetar i bashkisë Kolonjë nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, që garonte nën siglën e Partisë Socialiste. (A2 Televizion)