A2 CNN ka siguruar videon e sherrit të ndodhur javën e kaluar në Tiranë, ku mbeti i plagosur një 20-vjeçar. Në pamjet e rënda shihet se si Ajdin Ajvazi godet disa herë me thikë në trup Aron Demirajn.
Ngjarja ndodhi mesditën e të enjtes së 21 nëntorit, në rrugën “Sotir Kolea”, në zonën e njohur si Qytet Studenti. Gjatë një konflikti të çastit, Ajvazi plagosi me thikë 20-vjeçarin Aron Demirajn. Sherri mes tyre ndodhi në një rrugicë pranë institucionit arsimor privat ku ata studionin.
Pas kreu krimin, autori u largua me shpejtësi prej andej dhe pak minuta më pas u arrestua nga policia. Nga deklarimet paraprake ka rezultuar se dy të rinjtë kanë debatuar fillimisht me fjalë me argumentet se po shiheshin shtrembër dhe po i bllokonin rrugën njëri-tjetrit.
Fillimisht, 20-vjeçarit iu dha ndihma nga kalimtarët dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës. Sipas burimeve për A2 CNN, ai mori tri plagë, një në brinjë, në qafë dhe në shpatull, por pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Përveç arrestimit të 19-vjeçarit, banues në Kamëz, policia tha se procedoi në gjendje të lirë shtetasin E. T., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton nga veprimet hetimore të kryera se i ka shitur thikën autorit të dyshuar. (A2 Televizion)