Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e Alfred Belerit për një leje dalje të posaçme nga burgu, me qëllim betimin si kryebashkiak të Himarës.
Pasi humbi betejën për leje në dy shkallët e para të gjykimit, Beleri trokiti në Gjykatën e Lartë, por pa mundur të marrë një qëndrim ndryshe.
Një Kolegj Penal vendosi në dhomë këshillimi të mos pranojë rekursin e Alfred Belerit, duke lënë kështu në fuqi refuzimin ndaj tij për lejen nga burgu.
Më 5 mars Alfred Beleri u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”. Sipas SPAK ai e konsumoi veprën penale përmes ofertës dhe dhënies së një shume monetare prej 40 mijë lekë ndaj një votuesi në këmbim të 8 votave. Gjatë gjykimit, Beleri mohoi akuzat dhe e konsideroi gjyqin ndaj tij si politik. (A2 Televizion)