Letër-porosi nga SHBA, prova e re e SPAK "përplas" Ilir Metën me Irena Gjokën

Nga Armand Bajrami
28 Tetor 2025, 19:05 | Kronikë

Letër-porosi nga SHBA, prova e re e SPAK "përplas" Ilir

Seanca paraprake ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Gjykatën e Posaçme u ndërpre pak minuta pas nisjes për shkak të mungesës së avokatit të Kryemadhit. Para ndërprerjes, SPAK paraqiti një provë të re nga SHBA lidhur me pagesat për kontratën e lobimit të LSI-së në vitin 2017, çka shkaktoi debat të fortë mes palëve.

Vajtja në kohë e Monika Kryemadhit në gjykatë, ku do të niste shqyrtimi paraprak i dosjes penale të SPAK ndaj saj e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, nuk e shpëtoi seancën e së martës në Gjykatën e Posaçme.

Gjyqtarja paraprake Irena Gjoka ndërpreu seancën pakminuta pas nisjes për shkak të mungesës në sallë të avokatit të të pandehurës Kryemadhi. Por më herët, një provë e re e prezantuar nga SPAK ngjalli debat të fortë mes palëve. Prokurorët relatuan se bëhej fjalë për përgjigjen e një letër-porosie të dërguar në SHBA në lidhje me pagesat e kryera për kontratën e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të vitit 2017.

Avokatët në proces kundërshtuan me forcë administrimin e shkresës si provë, në një kohë që hetimi i çështjes është përmbyllur në muajin korrik. 

Ndërsa për Monika Kryemadhin, kjo situatë kishte vetëm një qëllim.

Seanca e radhës në ngarkim të ish-bashkëshortëve Meta-Kryemadhi, të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” dhe ndaj tre të bashkëpandehurve të tyre do të zhvillohet më 11 nëntor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos