Ndërron jetë amerikani në burgun e Shkodrës, zbulohet arsyeja

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 17:43 | Kronikë

Ndërron jetë amerikani në burgun e Shkodrës, zbulohet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në burgun e Shkodrës, ku shtetasi amerikan Brendon Ronald Saporito, i cili ndodhej i paraburgosur, është gjetur i varur në qeli.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se ai është nxjerrë me puls nga qelia dhe i është dhënë ndihma e parë, por fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë, shkruan A2 CNN.

Ky shtetas ka qenë në paraburgim, pasi në muajin maj të këtij viti, dyshohet se ka vrarë gruan e tij.

Njoftim për media:

Në IEVP Shkodër, më datë 28 tetor 2025, i paraburgosuri Brendon Ronald Saporito është gjetur i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit. Punonjësit e institucionit e kanë nxjerrë me puls dhe me shenja jete drejt urgjencës, ku stafi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga Spitali i Koplikut dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, i paraburgosuri nuk ka arritur të mbijetojë.

Brendon Ronald Saporito, i datëlindjes 22.04.1968, i biri i Joesph Binald Saporita dhe Marichea (Klein) Saporita, ndodhej në IEVP Shkodër për efekt të vendimit të Gjykatës Shkallës Parë Shkodër, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ai ishte arrestuar më 02.05.2025 dhe ishte sjellë në institucion më 04.05.2025.

Ngjarja është raportuar menjëherë autoriteteve kompetente, dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave. Drejtoria e IEVP Shkodër po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos