Lëvizje të forta në polici, nis “Era Hita”, favoritët për Tiranën, kush rrezikon largimin nga kupola drejtuese

Nga Igli Çelmeta
25 Maj 2026, 19:14 | Kronikë

Dy muaj pas marrjes së detyrës, kryepolici Hita ka nisur fazën vendimtare për krijimin e ekipit të tij të ri drejtues në Policinë e Shtetit. A2 CNN ka mësuar edhe emrat e 21 kandidatëve që konkurrojnë për postin e drejtorit në pesë qarqe: Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Fier. Po ashtu, burime bëjnë me dije se në ditët në vijim priten dorëheqje dhe largime edhe të drejtuesve të qarqeve të tjera, që do të thotë se gara nuk do të kufizohet vetëm në pesë drejtoritë vendore.

Që në fillim të marrjes së detyrës si kryepolic, Hita u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të qarqeve të paraqesin dorëheqjen, pasi synon të krijojë ekipin e tij të ri drejtues. Dy të parët që u larguan me dorëheqje ishin ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami, dhe ai i Kukësit, Loard Sallaku. Më pas, me shkarkim u largua Afrim Tafa nga drejtimi i Policisë së Durrësit, ndërsa së fundmi, këtë të hënë, ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Deri në emërimin e drejtorit të ri, në krye të Policisë së Tiranës është komanduar zëvendësdrejtori për krimet, Oliger Torba. A2 CNN mëson se tre emrat më potencialë për të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës janë Ermal Muça, Edvin Ndreu, si edhe drejtori i komanduar në Durrës, Ervin Hodaj, i cili konsiderohet kandidat potencial edhe për drejtimin e Policisë së Durrësit.

Ndërkohë, për qarkun e Lezhës, kandidatët më të favorizuar janë drejtori aktual i komanduar, Arben Nasufi, dhe kandidati tjetër, Ndue Ndoçi. Në Fier pritet rikonfirmimi i Erion Ahmetit, ndërsa për qarkun e Kukësit favoritë konsiderohen disa emra si Artion Duka, Alfred Elezi, Alket Shatro dhe Gjovalin Loka.

Gjithsesi, vendimin përfundimtar për përzgjedhjen e drejtuesve në këto pesë qarqe do ta marrë kryepolici Hita. Në listë spikasin edhe emra të rinj, të cilët gjatë kohës së Prodës u larguan nga strukturat drejtuese dhe tani pritet rikthimi i tyre.

Megjithatë, ndryshimet nuk pritet të kufizohen vetëm në nivel qarqesh. Lëvizje të rëndësishme mund të prekin edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku disa drejtues mbajnë poste prej disa vitesh dhe mandateve të tyre aktuale po u përfundon afati.

Me ndryshimet që pritet të bëhen në ligjin për Policinë e Shtetit, pritet të hiqet edhe procedura e konkurrimit për postet kyçe drejtuese, si zëvendësdrejtori i përgjithshëm, drejtori i departamentit, drejtori vendor dhe shefi i komisariatit. Këto poste pritet të plotësohen me emërim të drejtpërdrejtë nga kryepolici.

Në këtë kontekst, priten ndryshime edhe në disa prej departamenteve kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe Departamenti për Policinë Kriminale, i drejtuar nga Neritan Nallbati. Ai mban postin e drejtorit që prej 1 gushtit 2022 dhe mandati i tij përfundon më 31 korrik 2026. Largimi i Nallbatit pritet të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos