Pa kaluar 72 orë nga zotimi për të ndjekur hapat ligjorë kundër ligjit për pagat e magjistratëve, të miratuar të premten në Kuvend, të hënën gjyqtarët dhe prokurorët “trokitën” në Kushtetuese.
Dy organizma gjyqtarësh dhe Shoqata e Prokurorëve depozituan në këtë gjykatë akimin ndaj ligjit të miratuar në orët e para të 19 shtatorit dhe të dekretuar nga Presidenti i Republikës në të njëjtën ditë.
Nga Kushtetuesja, gjyqtarët dhe prokurorët kërkuan shfuqizimin e ligjit dhe pezullimin e zbatimit të tij, deri në shprehjen përfundimtare të Kushtetueses mbi padinë e paraqitur.
Referuar padisë, zbatimi i ligjit me formulën e miratuar nga Kuvendi për rritjen e pagave sillte pasoja të rënda dhe reale.
“Ato janë të rënda, sepse nuk kufizohen në diferenca page, por prekin garancitë kushtetuese të pagës, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, sigurinë juridike, besimin e ligjshëm dhe autoritetin e vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese”.
Sipas gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasojat janë njëkohësisht urgjente, pasi ligji ka hyrë në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet financiare prapa në kohë, që nga data 01.04.2023.
Kërkuesit denoncuan gjithashtu në Kushtetuese shkeljen e procesit të rregullt ligjvënës, pasi u njoftuan nga Kuvendi vetëm pak minuta përpara seancave dëgjimore, duke e kthyer konsultimin publik në një formalitet. (A2 Televizion)