
Një 48-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit në Pogradec, pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur kabllot e ndriçimit publik.
Sipas burimeve policore për A2 CNN shtetasi Arjan Tare, me origjinë nga Podgoria e Maliqit dhe banues në Vërdovë të Pogradecit, është prangosur mbrëmjen e djeshme në zonën e Unazës së qytetit, teksa kryente tentativën e radhës të vjedhjes së kabllove elektrike të shtyllave të ndriçimit.
Prej disa kohësh, policia ishte vënë në ndjekje të 48-vjeçarit pas denoncimeve të shumta nga institucionet lokale dhe qytetarët, për dëmtimin sistematik të infrastrukturës publike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, uniformat blu kanë gjetur sasi të konsiderueshme kabllosh të dyshuara si të vjedhura, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se një pjesë e madhe e tyre dyshohet se janë shitur nga autori.
Sipas policisë, Tare dyshohet të jetë i përfshirë në dhjetëra raste vjedhjesh në qytet dhe fshatrat përreth, ndërsa dëmi më i madh raportohet të jetë vjedhja e rreth 1000 metrave kabëll në aksin nacional Pogradec-Qafë Plloçë, segment i cili prej kohësh ka mbetur në errësirë të plotë, duke krijuar pasiguri për drejtuesit e mjeteve dhe banorët.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjeve, teksa nuk përjashtohet mundësia që 48-vjeçari të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë. Policia shprehet se nga dëshmia e tij pritet të sigurohen të dhëna të tjera të rëndësishme për hetimin.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, me akuzat ndaj të ndaluarit lidhen me vjedhje të infrastrukturës publike dhe dëmtim të pronës. (A2 Televizion)
