Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i dërgoi një mesazh efektivëve të Policisë Shkodër, duke theksuar se reagimi i tyre “i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm”.
“Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër. Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm”, tha Proda.
“Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura. Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike”, shtoi Proda. (A2 Televizion)