Mbolli kanabis në oborrin e banesës, arrestohet 34-vjeçari në Gjirokastër

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 10:23 | Kronikë

Mbolli kanabis në oborrin e banesës, arrestohet 34-vjeçari

Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një 34-vjeçar, i cili akuzohet se ka kultivuar kanabis sativa.

Sipas policisë, janë asgjësuar 128 fidanë kanabis, të cilat ishin mbjellë në oborrin e banesës.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”, për goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihet në pranga një 34-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë nëna e tij.    

Asgjësohen 128 fidanë cannabis sativa që u gjetën në oborrin e banesës së tyre, në fshatin Mashkullorë. 

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren. 

Në këtë kuadër, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan me sukses operacionin e koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.  

Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi I. D., 34 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, njësia administrative Cepo, si dhe u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, shtetasja V. D., 56 vjeçe, pasi në oborrin e banesës së tyre u gjetën të mbjellë në kubikë, 128 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos