Policia e Malësisë së Madhe ka arrestuar një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim që prej gushtit të vitit 2023, për kultivim të bimëve narkotike. Shtetasi M.V. (L.), banues në fshatin Qafë Aliaj, u kap dhe u ndalua pas një pune intensive të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ngjarja daton më 9 gusht 2023, kur në fshatin Goraj, Kastrat, punonjësit e policisë zbuluan një automjet të mbushur me 480 bimë kanabisi, të prera dhe gati për transport. Sapo konstatoi praninë e policisë, 41-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua me shpejtësi, duke iu shmangur arrestimit.
Pas disa muajsh kërkimesh, ai u lokalizua dhe u vu në pranga. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)