
Avokati Kujtim Cakrani ka treguar për A2CNN momentet kur sipas tij u dhunua nga dy të rinj, pranë një pike karburanti në Vlorë. Cakrani rrëfen se dy personat, të cilët nuk i njeh, fillimisht e provokuan dhe më pas e goditën nga pas me një mjet prerës. Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta bën me dije se ka marrë dëmtime në kokë, si pasojë e dhunës.
“Më kanë dhunuar dy të rinj që nuk i njihja dhe s’e kamë idenë përse, sepse më provokuan dhe më pas më goditën. Kaq është. Nuk mund të them më shumë, sepse nuk e di çfarë ka ndodhur. Ndodhi para një ore e pak në hyrje të qytetit. Po hyja në një pikë karburanti, kaluan aty, pasi më provokuan, dolën nga makina, dikush erdhi nga pas më goditi me mjet prerës, nuk e di me çfarë. Ndodhi në mënyrë të menjëhershme”, shprehet ai.
I pyetur nëse i njeh autorët, avokati i ish-Presidentit Ilir Meta shprehet: “Jo nuk i njihja. Ishin dy djem të rinj, mosha 25-30 diçka e tillë”.
“Kam 4-5 dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Isha i papërgatitur sepse nuk është se kam konflikt me njeri. S’jam mirë, kam dhimbje koke”, shprehet ai nga shtrati i spitalit.
Sipas burimeve për A2CNN, konflikti ka ndodhur në momentin kur Cakrani ndodhej brenda automjetit të tij.
Policia në njoftimin paraprak bën me dije se konflikti lidhet me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera.
“Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar. Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital. Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. (A2 Televizion)