
Personi në foto është Dugagjon Berisha, 27-vjeçari nga Kosova i arrestuar sot për trafikim armësh në drejtim të Shqipërisë.
"Blutë" kanë sekuestruar në total 12 pistoleta të tipit "Glock", si dhe municion luftarak. 10 nga pistoletat ishin fshehur në kofanon e makinës.
I riu i shiste pistoletat në zonën e "Freskut" në kryeqytet, kundrejt çmimeve që varionin nga 700 deri në 1000 euro copa.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të fokusit për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe bazuar në informacionet e grumbulluara, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, disa javore, kanë finalizuar operacioni i koduar “Barriera”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë”, thuhet në njoftim.
“Gjatë operacionit në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë duke e ndaluar atë. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Volswagen” me drejtues 27-vjeçarin, konkretisht nën kofanon e tij janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta Glock me municion luftarak. Po në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar dhe dy pistoleta të tjera glock, gjithsej 12 pistoleta. Nga hetimet ka rezultuar se 27-vjeçari do i shiste armët në zonën e Freskut” , vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(A2 Televizion)