Meta mbetet në burg, avokati: Gjykatat janë toga pushkatimi, të shohim çfarë do na thotë Irena Gjoka

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 14:11 | Kronikë

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, e quajti precedent të rrezikshëm vendimin e marrë këtë të mërkurë për lënien në burg të ish-presidentit, duke mos shuar masën e sigurisë kur ka kaluar një vit nga arrestimi i tij.

“Precedentit të mbajtjes peng të presidentit pa ligj. Vërtet jemi në seancën paraprake, por nuk kemi zhvilluar asnjë seancë. Nuk e dimë kur do të përfundojë kjo seancë. Nuk e dimë sa do të zgjasë, çfarë vendimi do të marrë gjykata, kështu që jemi në errësirë totale. Gjykata e ka mbushur kupën, ka rrëzuar kërkesën tonë, por është një precedent shumë i rrezikshëm”, tha Cakrani pas dhënies së vendimit nga Gjykata, përcjell A2 CNN.

“Janë ezauruar afatet për qëndrimin në paraburgim. Afati njëvjeçar është ezauruar dje. Teknikalitetet që mund të gjejë gjykata nuk kanë asnjë vlerë. SPAK ka kërkuar kalimin për çështjen në gjyq. Ne kemi bërë kërkesë për revokimin e masës, të nisur nga precedenti i zotit Berisha. Meta nuk ka më asnjë mundësi të prishë provat. Nuk ka asnjë dëshmitar që ka dalë për të folur kundër tij, që ai mund të intimidojë. Kjo është situatë shumë e rëndë, sepse prezumimi i pafajësisë nuk ekziston më. Kjo është kambanë alarmi. Këto gjykata janë toga pushkatimi. Prokurorët nuk kishin asnjë argument pse Meta duhet të qëndronte në burg. Të shohim çfarë do të na thotë gjyqtare Irena Gjoka”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos