6 prej 7 të miturve të arrestuar pas protestës opozitare të 10 shkurtit para kryeministrisë, janë përjashtuar nga ndjekja penale. Çështja penale ndaj tyre është pushuar, pasi janë paralajmëruar me gojë në prokurori për të mos përsëritur më veprimet e tyre. Pas pushimit të ndjekjes penale, gjykata pranoi edhe kërkesën e prokurorisë për shuarjen e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Referuar vendimit të gjykatës, të siguruar nga A2, shtatë të miturit u prangosën pas protestës së thirrur nga Partia Demokratike. Teksa mbanin kapuça në kokë, ata dyshohet të kenë qenë pjesë e një grupi aktiv, që ka hedhur gurë dhe molotov drejt kryeministrisë dhe punonjësve të policisë, shkruan A2 CNN. Veprimet e tyre janë dokumentuar mes pamjeve filmike, raporte vëzhgimi, si edhe dëshmitë e 13 punonjësve të policisë të lënduar fizikisht në protestë.
Gjatë hetimit, me urdhër të prokurores Eriselda Bala të rinjtë i janë nënshtruar një vlerësimi psikologjik. Referuar të përgjegjshmërisë së tyre, nivelit intelektuar, kushteve të jetesës e gjendja familjare është konkluduar se një dënim i mundshëm ndaj tyre mund të ketë ndikim negativ në gjendjen emocionale, sjelljen dhe të menduarin e tij në të ardhmen.
Për këtë shkak, prokuroria ka aplikuar masën alternative të shmangies përmes paralajmërimit. Ky paralajmërim, i bërë sipas dispozitës përkatëse të Kodit Penal për të Miturit, i bërë ndaj të miturve të dyshuar në prani të avokatit dhe psikologut, në një gjuhë të kuptueshme për ta, konsiston në bërjen me dije të rëndësinë e veprës penale, dëmin e shkaktuar dhe pasojat nëse ajo përsëritet.
Ndërsa për të miturin e shtatë, të cilit në momentin e arrestimit i janë gjetur shtatë mjete piroteknike me vete, prokuroria ka vendosur dërgimin e tij në gjyq për “goditja për shkak të detyrës”, “prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. (A2 Televizion)