“Denonconi kriminelët, nesër mund të vrasin vëllain tuaj”. Ky ka qenë apeli i Jonidës motrës së 42-vjeçarit Egli Proga, i cili u vra katër ditë më parë në Pogradec pas një përplasje fizike me 29-vjeçarin Denis Meçe. Në nderim të Eglit mbrëmjen e të mërkurës në Pogradecu mbajtën homazhe dhe u ndezën qirinj nga qytetarë, të afërm dhe shoqëria civile.
Të gjithë kërkojnë drejtësi për Eglin, pasi sipas familjes, ngjarja po tentohet të manipulohet. E motra deklaroi se do jetë mbrojtësja e të vëllait për të çuar në burg të gjithë fajtorët, ajo kërkoi të mos politizohet vrasja, por se kërkoi ndihmë nga gjithkush.
“I ka mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim i mbyllën jetën, do të shkojnë në burg të gjithë, pa asnjë përjashtim, si ata plehra që e dhunuan dhe ia morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra. Kam vetëm një kërkesë për ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët, flisni, mos kini frikë! Tregoni të vërtetat tuaja për banditët që i morën jetën Eglit, dëshmoni sepse ata mund t’iu vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq, tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre! Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe taraf. Mos bëni gabimin ta godisni me shkelma e grushte vëllanë tim, siç bënë barbarët që do të përpiqen t’iu blejnë.
Kërkoj drejtësi. Duke filluar nga sot, i bëj thirrje avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë të vijnë të mbrojnë Eglin bashkë me mua”, u shpreh motra e Egli Progës. (A2 Televizion)