Ndërtim me dy kate pa leje në Tiranë, AMP procedon dy policë për shpërdorim detyre

Nga A2 CNN
13 Maj 2026, 20:06 | Kronikë

Ndërtim me dy kate pa leje në Tiranë, AMP procedon dy policë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në Prokurorinë e Tiranës dy punonjës policie të Komisariatit numër 4, të dyshuar për “shpërdorim detyre”, pas konstatimit të ndërtimit të paligjshëm të dy kateve shtesë në një objekt shumëkatësh në rrugën “Llukë Kacaj” në Tiranë.

Sipas AMP-së, objekti ishte ndërtuar në tejkalim të lejes përtej pragut ligjor 10% të parashikuar për konfiskim.

Në hetim janë përfshirë specialisti dhe ndihmës specialisti i krimit me iniciale K.M. dhe S.K., ndërsa vijojnë verifikimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Njoftimi i plotë

Gjatë monitorimit të mediave elektronike janë konstatuar raportime se në një objekt shumë katësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Nj. Administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejen përkatëse lëshuar nga Bashkia Tiranë.

Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik, referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

➡️ K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.

➡️ S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos