Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës për vepra të ndryshme penale. Sipas policisë një 45-vjeçar u arrestua pasi ka ndërtuar një shtëpi druri në fshatin Vuno si dhe ka vendosur 4 kontejnerë pa lejen e organeve kompetente.
Një 31-vjeçar u arrestua pasi theu urdhrin e mbrojtjes dhe kërcënoi me thikë babain e tij në Vlorë. Ndërsa dy të tjerë ranë në prangat e policisë sepse u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ndërsa njëri prej tyre përplasi edhe dy makina të parkuara duke plagosur një pasagjere. Kjo e fundit është transportuar për mjekim më të specializuar në Tiranë.
Policia ka nisur hetimet për një 72 vjeçar nga Zvërneci, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash nga arka e kishës së këtij fshati.
Njoftimi i DVP Vlorë
Vihen në pranga 4 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan shtetasin A. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi në fshatin Vuno, është konstatuar se ka ndërtuar një shtëpi druri si dhe ka vendosur 4 kontenierë pa lejen e organeve kompetente.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit I. B., 63 vjeç, dhe J. H., 49 vjeç, banues në fshatin Dhërmi, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasi P. M., se këta shtetas i kanë prerë pemët frutore dhe ullinjtë, në pronën e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë ndaluan shtetasin G. Ll., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme ka thyer urdhrin e mbrojtjes duke shkuar në banesën e babait të tij dhe e kanosur me mjet prerës (thikë).
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin M. K., 72 vjeç, banues në fshatin Zvërnec, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash nga arka e kishës në fshatin Zvërnec.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan shtetasit:
• V. G., 64 vjeç, banues në Fier, pasi në rrugën “Nartë-Vlorë”, u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
• S. F., 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Aleksandër Moisiu”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me 2 automjete të parkuara. Si pasojë e aksidentit ka mbetur e dëmtuar shtetasja R. H., 60 vjeç, banuese në Tiranë, e cila ndodhej si pasagjere në njërin prej mjeteve të parkuara. Shtetasja R. H. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)