Zbulohet baza e mashtrimit online, Policia operacion në disa qytete, 6 të arrestuar

Nga A2 CNN
14 Shtator 2025, 10:50 | Kronikë

Zbulohet baza e mashtrimit online, Policia operacion në disa qytete, 6

Pas denoncimeve të shumta në lidhje më mashtrimet online, policia e shtetit ka zhvilluar një operacion në disa qytete të vendit. A2 CNN mëson se operacioni kundër firmave piramidale online, i denoncuar edhe nga deputetit socialist Erion Braçe është zhvilluar në Fier, në Divjakë e në Lushnjë. Ndërsa baza është gjetur në Lushnjë. Deri tani janë arrestuar 6 persona, mes tyre 2 në Divjakë. Ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

Kujtojmë që një javë më parë në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2 CNN, Josif Kruti, banor i qytetit të Divjakës ka rrëfyer detaje nga mënyra sesi qindra bashkëqytetarë të tij ranë pre e skemës piramidale online, ku josheshin nga të ashtuquajtur agjentë, për të investuar në platformën TXEX, me premtimin se fitimet do të dyfishoheshin.

Sipas tij  ishin të paktën katër persona që vepronin si agjentë për të joshur njerëzit, kryesisht të afërm të tyre, për të investuar fillimisht në këtë skemë piramidale dhe më pas tërhiqeshin njerëz të tjerë me fjalën e gojës dhe premtimin për fitime të shpejta.

Po kështu edhe ekspertja për teknologjinë, Denisa Kele tregoi në “Terminal” me Aurora Sulçen, raste konkrete nga qyteti i Lushnjës apo Divjakës, ku persona të caktuar kanë depozituar në këto skema shuma parash nga kursimet, apo shpenzimet për arsimin e fëmijëve. Sipas saj është shfrytëzuar mjaft mirë nga të ashtuquajturit agjentë ideja se me kriptovaluta mund të pasurohesh shpejtë, për t’i joshur qytetarët që të investojnë.

 

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos