
Në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, që do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për sigurinë dhe qarkullimin në Tiranë.
Nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, disa rrugë pranë stadiumit do të jenë të bllokuara për automjetet.
Bëhet fjalë për bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali” dhe “Abdyl Frashëri”.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të shkojnë në stadium që prej orës 18:30, për të shmangur radhët dhe vonesat në hyrje.
Para se të futen në stadium, tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve. Nuk do të lejohet futja e fishekzjarrëve, flakadanëve, çakmakëve, monedhave, çadrave dhe sendeve të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë.
Për mbarëvajtjen e ndeshjes janë angazhuar qindra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët do të jenë në terren para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit. (A2 Televizion)