“Ne e quajmë punë”, i penduari Dumani zbardh grabitjet, “përplaset” me Sharrën

Nga Armand Bajrami
20 Shkurt 2025, 19:39 | Kronikë

Pas më shumë se dy muajsh gjykim në kushte sekreti dhe mbarimit të pyetjeve të prokurorëve të SPAK ndaj të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Gjykata e Posaçme vendosi të hapë dyert në procesin ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë”.

Në seancën e së enjtes, mes katër punonjësve të policisë të maskuar e me jelekë antiplumb, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, nisi t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve e të pandehurve.

Për avokatin e të pandehurit Gentian Sharra, Dumani ndau detaje mbi disa grabitje me armë të ndodhura ne Elbasan, Kavajë e Berat, shkruan A2.

“Nuk kam ditur të grabis, më kanë mësuar Talo Çela e Gentian Sharra”, tha Dumani.

I penduari tha se Sharra ishte organizator i një grabitjes 8,3 kg flori dhe disa orëve të çmuara nga një argjendar në Elbasan: “Goditjen do ta bënim tek një parkim makinash. Unë i rashë me një levë në kokë. Pasi ra në tokë, një çantë ia mora unë, një Ilirjan Feçi. Emrin e viktimës s’e kam fiksuar. Nuk më ka interesuar. Pastaj shkuam tek shëpia e Talos. Hipëm në kat të dytë. Derdhëm çantat me florinj. I hoqëm çantat mos kishin ndonjë gjurmues”. 

Në një episod tjetër në Kavajë, në fund të vitit 2012 dhe fillim 2013, Dumani tha se kishin grabitur 20 milionë lekë, që i kishin ndarë në 4 pjesë: “Puna për ne është grabitje, vrasje, vjedhje. Ne e quajmë punë këtë. Kur dikush të gjen punë, grabitje për shembull, e studion zonën, lëvizjet e personit e të tjera dhe krijon një lloj sigurie se sa para ka me vete ‘viktima’, se ka përgjegjësi. Ai që e gjen punën, mund të marrë 10 përqind, ose 15 dhe nuk vjen fare atje. Ose merr njëlloj sa ne. I ndajmë 50 me 50”. 

Një kambist në vitin 2018 në Elbasan, Dumani tha se e kishin grabitur në mëngjes, kur besimtarë myslimanë po shkonin në një xhami aty pranë. “Fatkeqësisht të gjithë kambistët dalin në këtë orë. Ne po e prisnim në një makinë me xhama të zinj. Unë zbrita, i drejtova armën dhe i thashë ‘mos lëviz’. Ai jo vetëm që nuk ndaloi, por eci drejt meje e më tha ‘më gjuaj’. E qëllova dy herë në gjoks e një herë në kupën e gjurit”. 

Dumani rrëfeu për edhe për disa grabitje banesash, ku ishin futur bashkë me Talo Çelën, Gentian Sharrën e të tjerë, duke terrorizuar me armë në kokë familjarët që gjenin brenda tyre.

Nga kafazi i sallës së gjyqit, Gentian Sharra mohoi gjithë ç’tha i penduari, duke i konsideruar intriga. Sharra tha për kohën kur lakohej nga Dumani kishte 13 biznese në zotërim, se prej vitit 2013 merrte tendera shtetërorë dhe se s’kishte logjikë të përfshihej në grabitje për 3 mijë paund.

Më tej, ai kërkoi hetimin e vizitës së një bojaxhiu nga Durrësi në burgun 313, që pasi kishte lyer qelinë e Nuredin Dumanit, në emër të tij, i kishte kërkuar 200 mijë euro në këmbim të përjashtimit të emrit të tij nga ngjarjet kriminale. Por, seanca kulmoi kur avokati i Sharrës, pyeti dy herë radhazi nëse i penduari kishte dashur të vriste ndonjëherë klientin e tij. “Po të kisha dashur, nuk do të ishte aty në kafaz”, i tha me një ton të qetë i penduari.

Pas momentesh të mbushura me të folura pa radhë, një nga avokatet e të pandehurve në sallën e gjyqit pretendoi se u kërcënua me jetë nga i penduari Dumani. "Para se të ndërprisni seancën, lutem të dëgjoni procesverbalin audio të seancës. Teksa po flisnit i penduari më tha 'do merrem dhe me ty, më ke ngelur ti pa vrarë'. Nuk mund të kërcënohemi kështu!", tha avokatja, situatë që u përcoll me shqetësim edhe nga kolegët e saj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos