Nga Sinaloa në Shqipëri, Narkosi që tremb BE-SHBA, mediat në Meksikë zbardhin skemën e pastrimit të parave në kazino

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 16:22 | Kronikë

Nga Sinaloa në Shqipëri: rruga e trafikimit të drogës që shqetëson Europën”. Kështu e titullon reportazhin investigativ të sajin media prestigjoze hispanike, El Pais, pasi Departamenti Amerikan i Thesarit shpalli “non grata” familjen Hysa, duke e akuzuar atë se e ka përdorur perandorinë e kazinove dhe restoranteve si mbulesë për pastrimin e parave të kartelit meksikan, Sinaloa.

“Vendi ballkanik, në prag të hyrjes në BE, është akuzuar për tolerancë ndaj mafias dhe për pastrim parash të karteleve”, lexohet në artikull.

Sipas Interpolit, Shqipëria renditet ndër pikat kyçe që përdoret nga narkotrafikantët në botë. “Disa e quajnë Kolumbia e Europës”, thekson një prej autorëve të reportazhit.

Media të tjera kanë zbardhur detaje nga hetimet e përbashkëta mes autoriteteve amerikane dhe atyre të Meksikës. Hetimet financiare identifikuan 13 kazino me operacione të mundshme pastrimi parash. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo, konfirmoi një gjë të tillë.

Sa i përket skemës se si funksiononte pastrimi i parave, media La Jornada shkruan: “Këto biznese lojërash fati kontrollohen në fund nga një grup kriminal me një histori të gjatë transaksionesh financiare, përmes të cilave ata lehtësojnë pastrimin e parave në dobi të Kartelit Sinaloa”.

Raporti i hetuesve amerikanë dhe meksikanë shton se këto kazino “dërguan pagesa të paligjshme te anëtarët e lartë të kartelit dhe menaxherët e tyre morën udhëzime të hollësishme se si të shmangnin zbulimin nga sistemet e kontrollit kundër pastrimit të parave të institucioneve financiare”.

Kjo media meksikane nënvizon se SHBA sanksionoi 27 individë dhe subjekte të përfshira në një grup kriminal që e identifikoi si “Hysa”.

Sipas Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit Amerikan të Thesarit, grupi Hysa përbëhet nga Luftari, Arbeni, Ramizi, Fatosi dhe Fabjoni, një familje që pastron para nga Karteli Sinaloa përmes bizneseve të lojërave të fatit dhe restoranteve; përveç Gilberto López López, i cili është gjithashtu i përfshirë në grup si komisioner dhe Eselda Baku (më parë Eselda Hysa).

Ndër kompanitë e bllokuara me qendër në Meksikë janë: Bliri; Cucina Del Porto; Diversiones Los Mochis; El Arte de Cocinas y Beber; Entretenimiento Villahermosa; Entretenimiento y Espectáculos BC; Grupo Internacional Canhysamex; H Hidrocarburos; Hysa Forwarders; LH Pro-Gaming; LH me qira; Operadora Alejil; Operadora de Empresas LH; Procesadora de Alimentos Hs dhe Rosetta Gaming dhe Entretenimiento Palmero, SA de CV.

Hysa Holdings Inc dhe Rosetta Gaming Inc, të cilat janë me seli në Kanada, u sanksionuan gjithashtu, si dhe Rosetta Gaming SP ZOO, me seli në Poloni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos