Ngjarja e rëndë në minierën e Bulqizës, arrestohet administratori dhe brigadieri

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 09:18 | Kronikë

Ngjarja e rëndë në minierën e Bulqizës, arrestohet

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në minierën e Bulqizës, ku humbi jetën një minator dhe një tjetër u plagos, Policia ka arrestuar administratorin dhe brigadierin e subjektit minerar.

Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë dy personat. Njëri prej tyre vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Njoftim i Policisë Bulqizë

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një galeri kromi, në fshatin Thekën, Martanesh, ku gjatë procesit të punës, humbi jetën shtetasi A. P., 29 vjeç dhe u dëmtua rëndë shtetasi H. B., 40 vjeç, të dy vagonistë në këtë galeri, ju bëjmë me dije se:

Komisariati i Policisë Bulqizë arrestoi në flagrancë shtetasin G. P., 38 vjeç, banues në Bulqizë, me detyra administrator dhe brigadier në subjektin minerar.

Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë këta 2 shtetas.

40-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos