Këlliçi zbulon skenarin e protestës dhe akuzon policinë: Të ketë kujdes kush intimidon protestuesit

Nga A2 CNN
31 Tetor 2026, 13:00 | Aktualitet

“Të ketë kujdes kush intimidon protestuesit, do t’i përndjekim derisa të kemi fuqi”. Këtë mesazh u përcolli deputeti Belind Këlliçi efektivëve të policisë pas përplasjes mes tyre pranë Kryeministrisë. Në një deklaratë për A2 CNN, Këlliçi ai akuzoi kryeministrin për instalimin zyrtarisht të diktaturës, por sipas tij nuk do ta ndalë dot revoltën.

“Edi Rama është duke e kthyer Shqipërinë tashmë në hapin e parafundit para instalimit zyrtarisht të diktaturës edhe me ligj në një shtet policor nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ne ishim tek trotuari dhe shohim në një moment që pedagogu i njohur zoti Aleksandër Biberaj nuk lejohej, ishte rrethuar nga katër forca policie, nuk lejohej të në trotuar dhe i thonin kthehu mbrapsht, largohu. Në atë moment u afruam, pamë një zotëri tjetër që ishte me biçikletë, ishte në korsinë e biçikletës, donte të kalonte, nuk e lejonin. Më pas u njoftuam dhe nga gazetarët që nuk lejoheni të vinin shesh. Kjo është një çmenduri. Sado që Edi Rama të tentojë të fshehë realitetin, të tentojë të shtypë protestën, të tentojë të gjobisë se këto nuk do ndodhin kurrë, janë vendime antikushtetuese të tij, propozime më saktë, nuk do ja dali dot të ndalë revoltën e njerëzve” .

Këlliçi akuzoi edhe Policinë e Shtetit se po pengon qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës të lëvizin drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës.

“Ju e shihni tani në bulevard, mund të ktheni dhe kamerën nëse doni të shihni që po vijnë përfaqësues të Partisë Demokratike, demokratë, anëtarësie e jona dhe janë me qindra qytetarë që janë të bllokuar prej gjysmë ore që nuk lejohen të vijnë në këmbë. U përballëm me policët dhe i thamë ku e keni vendimin? Jo, nuk kam vendim. Po ku ke një dokument zyrtar? Kush je ti? Të vjen një copë ordineri, një horr me maskë dhe të thotë kush je ti. Një bandit që i shërben mbajtjes së Edi Ramës në pushtet, që me zor pret atë shpërblimin 2500 euro që të rrahë e t'i thyejë këmbët dhe duart qytetarëve dhe të rinjve, vjen dhe thotë kush je ti? Një rrugaç, një fundërrinë se këtu e ka çuar Edi Rama policinë e shtetit dhe shtetin shqiptar. Kështu që ne kemi dalë këtu. Ky është momenti që po fillojnë të mblidhen. Janë me qindra e qindra e qindra qytetarët, po e them dhe njëherë që janë bllokuar dhe na kanë raportuar për këtë ndodhi, por fillimisht nuk e besuam se nuk kemi menduar që kemi arritur pikën që në 2026-ën në bulevardin kryesor të Tiranës të del polici dhe të thotë të mos ec në rrugë. Po kjo është kjo është absurde”, tha ai për A2 CNN.

Duke folur për protestën, ai tha se PD-ja është në mbështetje të plotë të studentëve dhe se agjendën e përcaktojnë vetë ata.

“Skenari do të jetë në mbështetje të studentëve. Kjo është protesta e studentëve. Agjendën e caktojnë studentët. Partia Demokratike ka thërritur anëtarësinë e saj, mbështetësit, simpatizantët për t'i ardhur në ndihmë studentëve. Çfarëdo që studentët të vendosin dhe të bëjnë, ne do të jemi në mbështetje të plotë të tyre siç kemi qenë nga dita e parë. Jemi këtu në shërbim të studentëve, në shërbim të kauzës së tyre dhe për t'i shkurtuar ditët Edi Ramës”, tha ai për A2 CNN.

Ai deklaroi gjithashtu se partia do të ofrojë ndihmë ligjore për protestuesit që mund të përballen me masa administrative apo procedime, duke përmendur 560 raste të mëparshme të të rinjve dhe studentëve të mbrojtur nga grupi i ekspertëve të partisë.

Këlliçi i konsideroi antikushtetuese masat e reja të qeverisë për tubimet dhe paralajmëroi se PD-ja do të ndjekë ligjërisht punonjësit që, sipas tij, shkelin të drejtat e qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos